Vargu I Profeteve - 1 (Nën Dritën E Kuranit)

Ky libër, që është një mirësi hyjnore, për shkrimin e të cilit kemi dhënë kontributin tonë modest, përmban profetët që përmenden në Kuran, që prej fletës së parë të kalendarit profetik e deri tek fleta e fundit. Po ashtu, janë përfshirë edhe urtësitë dhe mësimet e jetës së tyre.
Këtu u përpoqëm të përcjellim shkurtimisht ndodhitë e profetëve dhe të popujve të tyre, duke u munduar të kuptojmë nevojat dhe vështirësitë e njeriut të kohës sonë dhe duke përçuar shkëndijat e urtësisë që do t’i ndriçojnë ata:
Ademi (a.s.), para të cilit melekët u urdhëruan të binin në sexhde; Idrisi (a.s.), që barti të fshehtën e mahnitjes qiellore; Nuhu (a.s.), i cili thirri në rrugën e Allahut pa u lodhur për 950 vite rresht; Hudi (a.s.), profeti i popullit mohues të Adit, vatrat e të cilëve u shkatërruan me anë të furtunave të fuqishme; Salihu (a.s.), profeti i popullit të pabindur të Themudit, të cilët u shkatërruan me themel me anë të tërmeteve; Ibrahimi (a.s.), i cili në sajë të dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit, i ktheu në trëndafilishte zjarret e Nemrudit mizor; Ismaili (a.s.), i cili është bërë simbol i sinqeritetit, besnikërisë, dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit; Is’haku (a.s.), nga brezi i të cilit kanë ardhur profetët e bijve të Izraelit; Luti (a.s.), profeti i dëshpëruar i Sodomës dhe Gomorres, i cili e thirri në udhëzim popullin e tij amoral dhe të pabindur deri në momentin e fundit; Dhulkarnejni (a.s.), i cili e barti flamurin e teuhidit (besimit në një Zot të vetëm) nga Lindja në Perëndim; Jakubi (a.s.), i cili u bë simbol i durimit, i djegur nga malli e dashuria për të birin; Jusufi (a.s.), i cili pas skllavërisë dhe vuajtjeve të jetës së burgut, u bë mbret i zemrave; Shuajbi (a.s.), Oratori i Profetëve, i cili i ngrinte peshë zemrat me oratorinë e tij të jashtëzakonshme.


Read In Other Languages

ARABIC
BULGARIAN
ENGLISH
FRENCH
GEORGIAN
MARANAO