Udhëtimi I Përjetësisë

Njeriu të vërtetën e vdekjes dhe gjithçka ka përtej saj, nuk mund ta përfitojë as prej njohurive njerëzore të turbulluara nga errësira e injorancës, as prej filozofive sakate të përziera me vesvese dhe as prej mendimeve të devijuara që nuk kanë dobi për asgjë. Errësirat e vdekjes nuk mund të ndriçohen me drita të tilla të shkurtra.
Të tentosh të shëtisësh në luginën e vdekjes dhe të Ahiretit me njohuri copë-copë të një mendjeje të mangët, të pafrymëzuar nga shpallja dhe të mbushur me ideologji egoiste, do të thotë ta vësh në rrezik komplet Jetën e Përjetshme.
Njohuritë njerëzore të privuara nga mbështetja hyjnore në lidhje me udhëtimin e përjetësisë, si dhe logjikat e sëmura, janë kapitale të dënuara të shkrihen nën hijen tabuteve, e të kalben në errësirat e varreve.
Vdekjet janë mësime të heshtura e urtësi për zemrat e ndjeshme, dhe të vërteta më ndikuese se fjalët më elokuente. Sa kuptime madhështore ka varrosur në heshtje të thellë vdekja me gjuhën e saj! Natyrisht, për ata që mund të dëgjojnë, të shohin e të ndjejnë...
Një jetë e pandriçuar me meditimin rreth vdekjes, nuk ndryshon aspak nga një natë e errët fatkeqësie. Dielli i lumturisë së përjetshme, lind në horizontet e atyre që dinë të jetojnë duke iu përkushtuar me zemër udhëzimit të fjalëve dhe shpalljeve hyjnore, dhe emigrojnë në Ahiret me ndërgjegje të qetë. Për ata që janë të pavetëdijshëm ndaj Allahut dhe përplasen nga erërat e fatit në shirësen e jetës, nuk qan as bota që lënë pas, e nuk qesh as bota tjetër që i pret përpara.


Read In Other Languages

ARABIC
BASHKIR
ENGLISH
FRENCH
HUNGARIAN
ITALIAN
ITALIAN
RUSSIAN